Secondary Adv

Shifra rekord turistesh ne 2019- INSTAT: Trefishohet turizmi shendetesor

Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me 2018, sipas të dhënave të INSTAT.

 

Edhe gjatë muajit dhjetor, pasi Shqipëria u godit nga tërmeti, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 288.708, krahasuar me Dhjetor 2018 ky numër është rritur me 2,9 %, por që kryesisht ishin grupet që erdhën të ndihmojnë vendin për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Në total, për vitin 2019, hyrjen më të larta të të huajve e kishin shtetasit nga Kosova, që përbënin 35% të totalit. Në vend hynë 2.2 milionë shtetas nga Kosova në 2019-n, me një rritje prej 7.5% në raport me vitin e mëparshëm. Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia, që përbënin rreth 12% të totalit. Nga Maqedonia erdhën 753 mijë shtetas, me rritje 11% në raport me vitin e kaluar.

 

Më pas renditen Greqia e Italia, me përkatësisht 9.3 dhe 7.3% të totalit, ku një pjesë të madhe e përbëjnë emigrantët shqiptarë që kanë marrë pasaporta greke apo italiane. Në vend të pestë është Mali i Zi, me 5.7% të hyrjeve. Nga të pesta këto vende erdhën në total rreth 70% e shtetasve të huaj, duke qenë potencial i turizmit masiv. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerive dhe Turizmit ka pohuar se sezonin e ardhshëm pikërisht ky segment i turizmit masiv pritet të goditet dhe më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa hotelet elitare nuk kanë pësuar dëmtime. Ka shumë struktura akomoduese private në pallate, sidomos në zonën e Plazhit të Durrësit që kanë dëmtime të mëdha. Rritje të ndjeshme shënuan gjermanët, hyrjet e të cilëve ishin 16% më të larta, duke përbërë 2.6% të totalit.

 

Të vetmit me rënie ishin polakët, hyrjet e të cilëve ranë me 14% në 2019-n, pas rritjes dyshifrore dy vitet e mëparshme. Në 2019-n erdhën 132 mijë polakë, ose 21 mijë më pak se një vit më parë. Polakët një nga grupet me rritjen më të madhe viteve të fundit në 2019 pësuan tkurrje dhe sipër përfaqësuesve të agjencive turistike arsyet janë tre. Së pari ishte falimentimi i një kompanie ajrore polake e cila siguronte charterat për të sjellë turistët. Kontratat ishin të parashkruara çka do të thotë që në sezon ishte e pamundur të bëhej zëvendësimi. Së dyti operatorët kanë nënvizuar se Durrësi, ku vendoset shumica po shtrenjtohet dhe kjo ka bërë që të kërkohen opsione më të lira. Së treti dinamika e tregjeve të turizmit ka ndryshuar dhe përveç Turqisë dhe Greqisë që kanë qenë të preferuara dhe me çmime të lira, edhe rikthimi i Egjiptit në skenë ka dhënë efektin e vet. 

 

Trefishohet turizmi shëndetësor

Sipas qëllimit të hyrjes, 95% e shtetasve të huaj kanë ardhur për pushime, ose vizitë tek të afërmit. 3.2% ishin udhëtarë tranzit dhe 1.5% ishin për qëllime biznesi. Ndonëse janë të ulët në numër, në vitin 2019 kishte një trefishim të të huajve që erdhën për turizëm shëndetësor, me trajtime të tilla si implanti i dhëmbëve, operacione të hundës, apo mbjellje të flokëve e ndërhyrje të tjera estetike, deri dhe shërbime të tilla si In vitro, që të huajt, si italianë, anglezë etj po preferojnë ti bëjnë në Shqipëri, pasi është më lirë. Në total rreth 660 persona erdhën në vend për qëllime shëndetësore. 

 

Daljet e shtetasve shqiptarë

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Dhjetor 2019, janë 485.230, krahasuar me Dhjetor 2018, ky numër është rritur 8,8 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë gjatë vitit 2019, është 5.921.750 duke u rritur 9,4 %, krahasuar me vitin 2018./Burimi: Monitor


Më të lexuarat